Vret të dashurin e nënës, rrezikon 15 vjet burg(FOTO).

Ish-komandoja Aldo Morina rrezikon 15 vite burg për vrasjen e njeriut që dyshonte se kishte lidhje intime me të ëmën. Prokuroria kërkoi dje masën e dënimit për të pandehurin Morina, duke e cilësuar fajtor për vrasjen me dashje në dëm të Mehmet Beqirit. Sipas organit të akuzës, motivi i vrasjes ishte lidhja intime që viktima kishte me të ëmën e autorit. Që në krye të herës, prokuroria rindërtoi të gjithë ngjarjen e rëndë të ndodhur në janar të këtij viti, si dhe sqaroi konfliktet e lindura mes viktimës dhe autorit. 

“Aldo Morina, komando në Repartin e Forcave Speciale të Ushtrisë, Zall Herr, Tiranë. Për shkak të funksionit që kryen, shtetasi Aldo Morina është i pajisur me armatim luftarak personal, me pistoletë të modelit “Bereta”. Mehmet Beqiri, shërben si shofer taksie me automjetin e tij me targë TR 84xx A. Rreth vitit 2007 shtetasi Mehmet Beqiri ka krijuar një lidhje jashtëmartesore me shtetasen M.Morina, e cila është e ëma e Morinës. Djali i ka kërkuar Mehmet Beqirit që të shkëpuste lidhjet me të ëmën, me qëllim që të mos krijoheshin konflikte familjare”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Duke qenë se Beqiri, nuk e ka ndërprerë lidhjen intime me të ëmën e komandos, nuk është pritur mirë nga ky i fundit. Kështu rreth orës 14.00 të datës 1 janar 2013, Aldo Morina ka shoqëruar me makinën e tij të ëmën, e cila punonte në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sipas prokurorisë, sapo ka dalë nga territori i Spitalit Pediatrik, Morina ka parë Mehmet Beqirin që ndodhej shumë pranë godinës së spitalit. Ai ka dyshuar se e ëma do të takohej sërish me të, ndaj ka parkuar makinën për të vërtetuar dyshimet e tij. Pak minuta më pas, M.Morina ka dalë nga godina e Spitalit dhe është futur në të njëjtën rrugicë ku ishte futur dhe Mehmet Beqiri. Komandoja e ka ndjekur të ëmën dhe sapo ajo është ngjitur në makinën e Mehmet Beqirit, ai u ka vajtur pranë dhe ka nisur të debatojë me fjalë me taksistin. “Gjatë debatit, shtetasi Aldo Morina ka nxjerrë nga brezi armën luftarake dhe me anë të saj ka qëlluar disa herë mbi shtetasin Mehmet Beqiri, i cili ishte i ulur në vendin e drejtuesit të automjetit. Pas kësaj, shtetasi Aldo Morina ka nxjerrë nga vendi i pasmë i pasagjerit shtetasen M.Morina dhe të dy janë larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në dosje. Morina është vetëdorëzuar disa orë më vonë, pasi ka vënë në dijeni eprorët e tij në repartin ushtarak.