Meta U ben thirrje krereve te PD dhe PS per te votuar 3 ligjet e Intergrimit(FOTO).

 Në ‘Ditën e Evropës’, kreu i LSI-së ka ripërsëritur apelin e tij ndaj dy krerëve të partive më të mëdha të vendit PD-PS, për të votuar 3 ligjet e integrimit. 

Në një komunikim për gazetarët nga zyrat e selisë së LSI-së, kreu i kësaj partie duke i kthyer përgjigjie kryeministrit Berisha, sqaroi se opozita është e gatshme të votojë ligjet me kushtin e vetëm që ato të hyjnë në fuqi në nisjen e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë në vjeshtë me qëllim shmangien e keqpërdorimit. 

“Sot është 9 Maji, Dita e Evropës, një ditë e madhe për të gjithë kontinentin tonë por edhe njerëzimin. Një ditë e madhe dhe shumë e rëndësishme edhe për të gjithë shqiptarët sepse është dita e paqes, e shpresës. Është dita e integrimit dhe e progresit të mbarë kontinentit por edhe të mbarë njerëzimit. Është një ditë frymëzimi për bashkëpunim dhe për integrim. 

Është për të ardhur keq që edhe në ditën e sotme, në vend që të merreshin me angazhime konkrete për të hedhur një hap tjetër drejt Bashkimit Evropian, dëgjuam një retorikë të përsëritur akuzash për fajësime për bllokimin e këtij procesi. Ndërkohë që prej disa kohësh Lëvizja Socialiste për Integrim ka propozuar një kompromis tepër të arsyeshëm i cili ndihmon për kapërcimin e ngërçit politik lidhur me miratimin e tre ligjeve dhe i cili konsiston në mënyrë të qartë me miratimin e tyre brenda mandatit të Parlamentit ekzistues, por me të vetmin ndryshim nga paraqitja e tyre aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë që ato të hyjnë në fuqi me Parlamentin e ri, pra në muajin shtator. Kjo është argumentuar, në mënyrë të qartë, me rrezikun që vjen me keqpërdorimin e miratimit, në mënyrë të veçantë, të ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë, ku do të shtohen disa vende anëtarësh të kësaj gjykate për të krijuar Kolegjin Administrativ në zbatim të ligjit për Gjykatën Administrative. Pra me rrezikun që sikurse e kemi vënë re edhe me disa emërime të tjera në postet më të larta të gjykatave apo të drejtësisë me karakter të ngushtë partiak, që nuk do t’i shërbente zbatimit të ligjit në mënyrë dhe në frymë vërtet evropiane, siç duhet të funksionojnë institucionet e pavarura ", tha Meta.

Meta ftoi krerët e partive kryesorë në vend që të mblidhen ditën e enjte në orën 10:00 për të bashkërenduar qëndrimet dhe për të vendosur për miratimin e 3 ligjeve. 

“Ndaj sot, në këtë ditë të rëndësishme, në Ditën e Evropës, gjej rastin të ftoj edhe një herë kryetarin e Partisë Demokratike, në mënyrë të veçantë, z. Berisha, kryetarin e Partisë Socialiste, z. Rama. dhe kolegë të tjerë që të takohemi, të shkëputemi 5 minuta nga fushata elektorale dhe të takohemi deri të enjten në orën 10:00 për të bashkërenduar miratimin e këtyre tre ligjeve, në mënyrë që t’i përgjigjemi edhe kësaj kërkese të vazhdueshme të Bashkimit Evropian edhe të mbarë qytetarë shqiptarë me seriozitet dhe përgjegjshmëri dhe duke hequr dorë nga shkëmbimet e tepërta të akuzave të cilat nuk prodhojnë progres në drejtim të marrjes së statusit të vendit kandidat. Nuk ka nevojë më retorikë por ka nevojë për qartësi, për përgjegjshmëri dhe për kompromis të bazuar në shpirtin proevropian të popullit shqiptar”, shtoi Meta.